Postuar më: July 21, 2020
Rezilienca ndaj COVID-19? Tre biznese shqiptare merren si shembull për Evropën Juglindore në buletinin zviceran Mosaic Me përhapjen e pandemisë COVID-19, termi “reziliencë – aftësi ripërtëritëse” është shfaqur si “një fjalë e madhe” në radhët e politikëbërësve, studiuesve dhe profesionistëve të zhvillimit. Me gjithë popullaritetin e tij, ky koncept, zbatimi i tij në kontekstin e pandemisë dhe ndikimi i tij i pashembullt tek sistemet nuk janë kuptuar ashtu siç duhet. Hulumtimet flasin për katër lloje të reziliencës së sistemeve. Lloji i parë është rikuperimi. Kur goditet nga kriza, sistemi kërkon të ruajë gjendjen e tij ekzistuese (status quo-në) dhe përpiqet të kthehet dhe të rikuperojë ekuilibrin e mëparshëm pa përshtatje. Është gjithashtu e mundur që një sistem të përthithë goditjet nga kriza dhe të arrijë të menaxhojë stabilitet përmes kapacitetit të tij për të parandaluar, zbutur dhe rikuperuar. Kjo strategji e ka origjinën nga rezilienca ekologjike. Lloji i tretë është bashkëjetesa. Si pjesë e reziliencës evolucionare, ajo nënkupton të jetuarit në një botë komplekse dhe vazhdimisht në ndryshim. Si lloji i katërt i reziliencës, një sistem mundet edhe të mësojë, përshtatet dhe të përtërihet në kontekstin e ndërveprimeve dinamike brenda sistemit pa u rikthyer domosdoshmërisht në gjendjen e mëparshme. Në artikullin e fundit në buletinin “Mosaic” të publikuar nga ekipi për Evropën Juglindore i Helvetas Swiss Intercooperation, të titulluar “A mundet Bashkëpunimi për Zhvillim të jetë rezilient në kriza të mëdha? Vetëm duke eksploruar të panjohurën.”, Admir Malaj, Zenebe B. Uraguchi, Edlira Muedini analizojnë konceptin, kontekstin dhe japin shembuj nga Shqipëria, të reziliencës në sektorin privat, në kohën e COVID-19. Si funksionon në praktikë? Rezilienca në sektorin e zhvillimit dhe organizatave ndërkombëtare lidhur me impaktin e punës që ato kanë në komunitete është një tjetër element i rëndësishëm për vendet si Shqipëria, ku operojnë donatorë të ndryshëm. Një prej tyre është dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) nëpërmjet projektit për punësimin e të rinjve RisiAlbania që zbatohet nga Helvetas Swiss intercooperation dhe Partners Albania, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. I pyetur në lidhje me mënyrën e reagimit ndaj krizës, deklarata e dhënë nga Ylli Sula, zotëruesi dhe drejtori ekzekutiv i shërbimit të rekrutimit “Profesionisti” dhe Akademisë së Trajnimeve “Unipro Ballkan” është: Unë e kam mbajtur të gjithë stafin tim! “Ajo që e dallon biznesin tonë është aftësia për të përtërirë vazhdimisht produktet dhe shërbimet tona. Digjitalizimi po kthehet në një strategji të domosdoshme në kushtet e COVID-19. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që të kemi gati proceset e duhura për të reaguar dhe për t'u përshtatur në situata të tilla,” – shton Sula. Ashtu si Sula, edhe zotëruesi dhe drejtori ekzekutiv i portalit online të punës duapune.com, Dritan Mezini po përpiqet të mbajë stafin e tij. Ai beson se mbajtja e punonjësve aktualisht kushton më pak se gjetja e punonjësve të rinj më vonë. Për t'iu përshtatur situatës, ai ka hedhur në treg disa shërbime të reja. Për shembull, portali duapune.com në rrethana të veçanta karantine i ka këshilluar klientët online në lidhje me mënyrën e hartimit të përshkrimeve të pozicioneve specifike te punës si pasoje e situatës . Kompania ka ofruar mbështetje teknike dhe trajnime për takimet dhe bashkëpunimin në internet, si një nevojë imediate e shkaktuar nga pandemia. Gjithashtu, kompania ka shfaqur më shumë përgjegjësi sociale dhe ka ofruar shërbime falas për firmat e kujdesit shëndetësor që kërkojnë personel për shkak të COVID-19. Të tre kompanitë – Unipro, Profesionisti dhe duapune.com - janë partnerët të projekti RisiAlbania, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i zbatuar nga Helvetas dhe Partners Albania, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Projekti ka mbështetur këto kompani në të shkuarën (2013-2017) për hartimin e strategjive te qëndrueshme për rritje të biznesit. Sot ata mbeten rezilientë përmes përshtatjes dhe transformimit edhe kur mbështetja e Risisë nuk ishte më prezente – tregues ky i një impakti të qëndrueshëm mbështetjeje *Versionin e plotë të artikullit e gjeni në >>> Business Mag